E mërkurë, 28 Shtator, 2022

Pak interesim për t’u regjistruar në profesionet deficitare – veterinari dhe ndërtimtari

- Advertisement -

Për një numër drejtimesh në Universitetin e Prishtinës të rinjtë nuk kanë treguar interesim, ani se të diplomuarit në to kërkohen në tregun e punës. Mungesa e analizave për nevojat e vendit për profesionistë të lëmenjve të caktuar, si dhe paragjykimet ndaj profesioneve janë numëruar mes shkaktarëve që kanë krijuar hendekun mes arsimit të lartë dhe tregut të punës
Në programin e Inxhinierisë së Ambientit në Fakultetin e Ndërtimtarisë ishin paraparë 40 vende për studentë të rinj, por vetëm shtatë sosh janë plotësuar.

Pëllumb Gjinolli i cili punon si inxhinier i ambientit, tregon se gjatë ushtrimit të profesionit të tij vëren mungesën e kuadrove në këtë drejtim.

- Advertisement -

“Mua më bie të vërej shpesh, pasi unë angazhohem në projekte që financohen prej institucioneve financiare ndërkombëtare që kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës apo projekteve energjetike, dhe sa herë më është kërkuar që të propozoj edhe ndonjë koleg, kam hasur në vështirësi për të gjetur”, ka thënë Gjinolli.

Ai thotë se mungesa e resurseve humane ka bërë që të çalojë mbikëqyrja në planet zhvillimore dhe mjedisore në komuna.

“Komunat kanë nevojë shumë për kuadro të tilla. Secila komunë tashmë – përveç zhvillimit që e kemi ditur që komunat kanë pasur një zhvillim të hovshëm – nuk ka pasur mbikëqyrje të duhur”, ka thënë ai.

- Advertisement -

Pa kuadro të mjaftueshme është edhe sektori i veterinarisë.

Profesori në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fatgzim Latifi, ka thënë se duhen 20 vjet për të nxjerrë profesionistë të rinj për t’i përmbushur nevojat e tregut të punës.

“Numri është shumë i nevojshëm për arsye se kuadrot që janë të punësuara në këto komuna, ose ka mungesë ose nuk janë adekuate me lëmin apo profesionin me të cilin punojnë në atë sektor”, ka thënë ai. “Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit duhet t’i ketë së paku 100 veterinerë të punësuar në atë sektor. Janë të punësuar vetëm 10”, ka thënë Latifi, i cili është i angazhuar në Fakultet si profesor në Drejtimin Mjekësi e Veterinarisë.

- Advertisement -

Gjithsej 12 vende janë përmbushur në Drejtimin Mjekësi e Veterinarisë, nga 20 të parapara.

Latifi thekson se shtimi i kuadrove në këtë drejtim është i domosdoshëm edhe për aspiratën e shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Ka shumë nevojë Kosova. Shumë kapituj për anëtarësim në Bashkimin Evropian lidhen me veterinarinë. Siguria ushqimore mandej është peshkimi, mandej është kontrolli, mandej është shëndetësia publike dhe në të gjithë këta kapituj që po i përmendi është e involvuar veterinaria dhe në qoftë se nuk kemi kuadro për këto, do të hasim në vështirësi”, ka thënë ai.

Studenti Hamit Shala, i cili para tre vjetësh zgjodhi këtë drejtim, ka thënë se vendimin e mori duke u bazuar në hulumtimet e tij personale për kërkesat në tregun e punës.

“Në shkollë asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë trajnim ose seminar me të cilin kemi mundur të informohemi se cilat profesione janë në mungesë në Kosovë ose cilat profesione janë profitabile për një karrierë të suksesshme”, ka thënë ai.

Për shkak të numrit të madh të të diplomuarve në raport me kërkesat dhe nevojën e tregut, sivjet për 35 për qind është ulur numri i studentëve që është paraparë të regjistrohen në drejtimet e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa për 33 për qind në Juridik, si dhe për 50 për qind në drejtimet e edukimit.

Sipas ligjëruesit për Orientim në Karrierë, Januz Dërvodeli, mungesa e analizave për nevojat e tregut të punës, si dhe paragjykimet ndaj profesioneve, janë disa nga shkaktarët që kanë krijuar boshllëqe në tregun e punës në raport me resurset humane.

“Edhe më tej ekzistojnë paragjykime për të ashtuquajtura profesione të mira apo të këqija, profesione veç për gjininë femërore, veç për gjininë mashkullore”, ka thënë Dërvodeli. “Në Perëndim i kanë tejkaluar këto paragjykime dhe nuk ka rëndësi çfarë profesioni”.

Ai ka thënë se vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që në institucionet e arsimit parauniversitar të futet si lëndë zgjedhore orientimi në karrierë nuk është e mjaftueshme.

“Orientimin në karrierë e ka paraparë Ministria si lëndë zgjedhore, mirëpo nuk është e mjaftueshme, pasi kjo lëndë u jepet dikujt prej profesorëve që nuk e ka normën, gjë që mund të mos jetë fare profesionist i kësaj fushe dhe konsiderohet vetëm si mbulim normash, kështu që nxënësit nuk mund të përfitojnë”, ka thënë ai.

Sipas një raporti nga projekti austriak “Harmonizimi i Arsimit dhe i Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës – ALLED Faza II”, Kosova ka numër të lartë të universiteteve dhe kolegjeve, llogaritur me numrin e banorëve. Në vend operojnë nëntë institucione publike të arsimit të lartë dhe dymbëdhjetë private. Po ashtu, në raport thuhet se mbi 60 për qind e të anketuarve që mbajnë punë në sektorin publik dhe atë privat kanë pozita që nuk janë të lidhura me shkollimin që e kanë kryer. /KOHA/

- Advertisement -

Share

spot_img

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Komuna e Prizrenit i jep tender për vetëdijesimin e nxënësve kompanisë që aktivitet primar ka pastrimin e ndërtesave

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratë me kompaninë ‘Samire Osmani B.I’ për ‘Vetëdijesimin e...

LAJMI I FUNDIT: Paqartësi në ekzekutimin e pagave për grevistët

Ajo që vazhdon të mbetet e paqartë në këtë situatë është forma e ekzekutimit...

Hapet pika shkollore e gjuhës shqipe në Kaufbeuren të Bavarisë

Të shtunën në prani të nxënësve, prindërve dhe bashkëkombësve, të Konsullit të Përgjithshëm të...

Aktori kosovar del me një propozim për ndaljen e grevës nga SBASHK-u

Që 25 gushti sindikata e arsimit kah hyrë në grevë. SBASHK dhe Qeveria e...