E martë, 31 Janar, 2023

“Nxënës që u futën me telefon në Testin e Maturës” morën notën 9.5″

- Advertisement -

Brenda një harku të shkurtër kohor, maturantët janë njohur me rezultatet e te tria provimeve me detyrim, ndërkohë që premtohen shumë shpejt edhe rezultatet e lëndës me zgjedhje.

Testi i Matematikës ishte ai që i vuri “vulën” zemëratës së të rinjve, që deri dje ishin më të qetë krahasuar me vitet e kaluara, ku çdo tezë është kontestuar. Një lumë pakënaqësish kanë vërshuar në rrjete sociale nga maturantët që thonë se do të protestojnë sot në orën 10:00 përpara Ministrisë së Arsimit.

- Advertisement -

Pas protestës së të shtunës së javës që shkoi për tezën e provimit me zgjedhje, e cila, sipas tyre, nuk përputhej me programin e lëndës të zhvilluar në shkolla, maturantët do të dalin sërish sot në rrugë për të kundërshtuar skemën e vlerësimit të provimit të dytë me detyrim, Matematikës.

Pas lumit të komenteve negative në “Facebook”, zemërata do të zhvendoset sot përpara Ministrisë së Arsimit, për atë që ata e cilësojnë si “mund i çuar dëm”. “Të harxhosh miliona lekë në vit kurs, të punosh dhe natën me Matematikën dhe të shohësh notën 6 në provim, nuk kam fjalë. Mund në vite i çuar dëm. E dija që do dilja keq, por jo kaq. Edhe Biologjia kushedi se çfarë do të na nxjerrë, duke parë skemën e vlerësimit. Ndërkohë, nxënës që u futën me telefon morën 9.5. Shpresoj të vijnë në protestë sa më shumë nxënës”, shprehet një nga të rinjtë e indinjuar në rrjete sociale.

Rezultatet e provimit të Matematikës për shumicën e maturantëve ishin më shumë se sa zhgënjyese. Nga 29 mijë e 829 maturantë pjesëmarrës në provim, plot 1729 maturantë kanë rezultuar mbetës, ose 5.7%, i përafërt me atë të vitit të kaluar, ku kalueshmëria ishte në nivelin 94% në rang kombëtar. Pavarësisht pakënaqësive, ka pasur një numër të konsiderueshëm maturantësh që kanë rrëmbyer dhjetën absolute, 10.00. plot 234 të tillë, nga vetëm 36 vitin e kaluar. Një tjetër tregues i trendit pozitiv të të dhënave të përgjithshme është nota mesatare, e cila gjithashtu ka ardhur në rritje. Nga 6.75 vitin e shkuar, maturantët e 2022 kanë një mesatare totale në nivelin e 6.88.

- Advertisement -

Sipas grafikut të notave në rang qarku të përpunuar nga disa të rinj të “Portali studentor”, Kukësi rezulton “kampion” me mesataren më të lartë, 8.43, ndjekur nga Durrësi, Lezha, Tirana e Shkodra. Por jo vetëm në Matematikë. Maturantët e Kukësit kanë shkëlqyer edhe në dy provimet e tjera me detyrim, Gjuhë e huaj dhe Gjuhë shqipe e letërsi, me mesatare në rang qarku përkatësisht 8.39 dhe 7.83. Ky fenomen nuk ndodh vetëm sivjet në fakt, por edhe më herët. Janë ekspertët e pavarur apo ata të Ministrisë së Arsimit që mund të përmendin arsyet që renditin të rinjtë e qytetit verilindor në krye të “top” listës së të shkëlqyerve në mbarë vendin, në një kohë që nuk përfshihen në asnjë olimpiadë kombëtare a ndërkombëtare. Nga ana tjetër, administrimi vijon të përmendet si një ndër pikat më të forta të maturës, pavarësisht se rëndom, tezat bëjnë xhiron në rrjete sociale ndërkohë që të rinjtë testohen.

Ministrja e Arsimit reagon për testin e biologjisë: Nuk ka asnjë gabim
Ministria e Arsimit dhe Sportit reagoi në lidhje me pretendimet e disa maturantëve se në testin e biologjisë ka pasur pyetje jashtë programit mësimor të zhvilluar gjatë vitit. MAS deklaron se pas shqetësimeve është bërë një pune konsultuese dhe vlerësuese disa ditore me mësues dhe ekspertë të fushës, për të parë cilësinë e testit. Ministrja Kushi thekson se pas vlerësimit të bërë, është konfirmuar që testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe pyetjet janë hartuar sipas niveleve të vështirësisë për të diferencuar secilën notë.

“Ju konfirmoj që testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe pyetjet janë hartuar sipas niveleve të vështirësisë, për të diferencuar secilën notë, e për të mos penalizuar as nxënësit e shkëlqyer, por për të vlerësuar të gjithë sipas punës e meritës. Nisur nga shqetësimet tuaja, kemi punuar ditë e natë me mësuesit vlerësues për të garantuar shpalljen e rezultateve, me cilësi të lartë dhe në kohë sa më të shpejtë. Jam shumë e kënaqur që shumë prej jush kanë shkëlqyer, madje edhe përtej pritshmërive, duke vërtetuar që testi ka qenë një matës i mirë i përgatitjes së gjithsecilit”, shkruan ministrja. Ndërkohë që maturantët kanë paralajmëruar një protestë gjatë ditës së sotme e cila pritet të mbështetet dhe nga deputetë të Partisë Demokratike.

- Advertisement -

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Prezantohet nesër: Kaq pritet të jetë vlera e koeficientit të pagave

Këtë javë pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave në Kosovë,...

Në mungesë të kuadrit, nuk ka mësim në gjimnazin e matematikës

Nxënësit e gjimnazit “Matematikë dhe Informatikë” në Shkup edhe javën e dytë të gjysmë-vjetorit...

ORCA: Senati i UP-së ka shpallur plagjiatorë profesorët Bujar Dugolli e Ardian Kastrati

Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA), përmes një njoftimi për media ka...

Sindikatat reagojnë për mos publikimin e vlerës së koeficientit: Qeveria po tallet, nuk i harrojmë këto lojëra

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi ka thënë se...