E diel, 24 Tetor, 2021

Intervistë me logopeden, Ertiola Lugji: Shkaqet e vonesës së të folurit tek fëmijët – disa këshilla për prindërit

Jo pak prindër shqetësohen kur fëmijët e tyre vonojonë të flasin, çka ju drejtohen logopedëve.


Media për fëmijë “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) për këtë problematikë ka zhvilluar një intervistë me logopenden e njohur nga Tirana, Ertiola Lugji.

Ajo përmes kësaj interviste tregon se kur prindërit duhet t’i drejtohen logopedit, sa zgjatë koha e terapisë, poashtu jep këshilla se si të parandalohet problemet në të folur te fëmijët, dhe çështje tjera…

Lexoni intervistën e plotë me logopeden Ertiola Lugji…

A bën një prezantim të shkurtër, që të ju njohin dhe lexuesit nga Kosova?

Unë jam Ertiola Lugji, logopede e diplomuar pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Universiteti i Mjekësisë Tiranë. Prej vitit 2018 kam ushtruar profesionin si logopede në një qendër private në qytetin e Shkodrës dhe duke filluar nga shtatori 2021 do t”i bashkohem një specializimi në “Lingustikë Klinike”, me qëllim zgjerimin e horizontit të dijeve për t”i ardhur në ndihmë më së miri pacientëve dhe rasteve që trajtoj.

Kur prindërit duhet t’i drejtohen logopedit?

Zhvillimi i të folurit dhe komunikimit është një proces individual dhe karakteristik për secilin prej nesh, prandaj është e rëndësishme që prindërit t’i kushtojnë vëmendje etapave të zhvillimit gjuhësor.

Unë do t”u rekomandoja të gjithë prindërve të kryejnë një konsultë me logopedin, nëse fëmija i tyre shfaq këto shenja: pamundësi për të kuptuar të tjerët, vështirësi për t”u kuptuar nga të tjerët, nervozizëm për shkak të mungesës së komunikimit, zë i ngjirur, belbëzim (marrja e gojës), etj.

Nëse do t’i referohemi zhvillimit gjuhësor sipas grupmoshës, ju duhet të konsultoheni me logopedin nëse:

Fëmija juaj 12-15 muajsh lëshon shumë pak tinguj, nuk përdor gjestet (si përshëndetja me dorë apo tregimi me gisht I objekteve), nuk ka prodhuar akoma fjalën e parë.

Fëmija 18-24 muajsh lëshon pasthirrma ose bërtet kur kërkon dicka dhe nuk përdor fjalët, nuk arrin të bashkojë 2 fjalë.

Fëmija 2-4 vjec nuk arrin të lidhë 2 fjalë bashkë, ka më pak se 50 fjalë në fjalor, si dhe e folura e tij është e pakuptueshme nga familjarët.

Fëmija 4-5 vjec përsërit tingullin ose rrokjen e parë të fjalëve (t-t-t-topi), nuk arrin të marrë komandat (udhëzimet) tuaja ose nuk është në gjendje t”u përgjigjet pyetjeve tuaja sipas kontekstit.

Si duket ekzaminimi dhe si trajtimi logopedik?

Ekzaminimi logopedik duhet të përfshijë intervistën me prindin, nga e cila marrim të dhënat e zhvillimit të përgjithshëm dhe gjuhësor të fëmijës; vëzhgimin e fëmijës gjatë lojës së lirë, si dhe vlerësimin e gjuhës nëpërmjet testeve të përshtatshme për problemin për të cilin prindi apo logopedi dyshon që të ketë fëmija.

Ekzaminimi bëhet me praninë ose jo të prindit, në varësi të moshës, gjendjes emocionale dhe fizike të fëmijës.

Nga ana tjetër kemi trajtimin logopedik, i cili fillon pas vlerësimit dhe shqyrtimit të të gjitha të dhënave të marra nga prindërit dhe testet që ka realizuar fëmija.

Në disa raste, ndodh që fëmija të ketë marrë një diagnozë paraprake nga një specialist tjetër, prandaj fillohet me terapinë pas një takimi prezantues dhe njohës të rastit.

Në përgjithësi, trajtimi logopedik kryhet në raportin 1 me 1, që do të thotë se 1 terapist trajtin një fëmijë, por, kemi dhe raste kur trajtimi kryhet në raportin 2 ose 3 me 1, pra 2 ose 3 fëmijë ndjekin atë që njihet si “terapi grupi” me të njëjtin terapist.

Terapia zhvillohet në koabinetin logopedik, por në raste të rralla ofrohet dhe në spital ose shtëpi.

Sa është zgjatja e trajtimit dhe roli i prindit gjatë trajtimit logopedik?

Kohëzgjatja e terapisë varet nga disa faktorë. Faktori kryesor është diagnoza apo problemi që shfaq fëmija në komunikim. Rëndësi shumë të madhe ka frekuentimi i rregullt i terapisë, intensiteti i përshtatshëm për vështirësitë që shfaq fëmija, si dhe mbështetja e programit jashtë ambjentit të terapisë nga ana e prindërve, familjarëve dhe mësueseve.

Logopedi punon me plane individuale afatshkurtra (3 mujore) dhe afatgjata (6 ose 12 mujore). Në momentin që fëmija arrin objektivat e programit (planit), atëherë logopedi kalon në të tjera objektiva ose në rastin më të mirë, redukton seancat logopedike.

Prindi luan një rol madhor gjatë procesit të trajtimit logopedik, pasi ai kryen funksionin e mbajtjes apo ruajtjes së informacioneve që fëmija ka mësuar në logoterapi.

Sa më shumë që fëmija të ushtrohet bashkë me prindërit e tij, aq më e shpejtë do të jetë përthithja dhe përvetësimi i njohurive të mësuara.

Njëkohësisht, prindi ndihmon dhe në mbështetjen emocionale të fëmijës gjatë trajtimit. Kjo është shumë e rëndësishme pasi sa më i qetë dhe i sigurtë të ndihet fëmija, aq më i përkushtuar dhe përqendruar do të jetë në terapi.

Ju si logopede, çfarë i këshilloni prindërit sa i përket stimulimit të komunikimit adekuat për parandalimin e problemeve në të folur?

Unë do t”ju sugjeroja të gjithë prindërve që dëshirojnë të parandalojnë problemet e komunikimit:

-Mundohuni që gjatë gjithë kohës të komunikoni me fëmijën tuaj duke emërtuar çdo veprim që bëni. Mundohuni të përdorni fjalë të thjeshta dhe fjali të thjeshta për të përçuar sa me qartë mesazhin tuaj te fëmija. Flisni në mënyrë të shkoqur fjalët, që të jenë sa më të kuptueshme për fëmijën tuaj.

-Aktivitetet shtëpiake: kjo është periudha më e mirë që të angazhoni fëmijën tuaj në aktivitetet e përditshme shtëpiake. Ky aktivitet lejon fëmijën që të marrë modelet e duhura gjuhësore nga ju.

-Loja funksionale: përdorni të gjithë imagjinatën tuaj për të krijuar lojra funksionale. Fëmijët e arrijnë zhvillimin e tyre gjuhësor nëpërmjet lojës dhe kjo është arsyeja që një fushë e tillë ka një gamë të gjërë aktivitetesh që mund të zhvilloni.

-Lexoni libra: lejojeni vogëlushin tuaj të zgjedhë vetë librat që dëshiron të lexojë. Pajiseni bibliotekën e fëmijës me libra të thjeshtë, me figura tërheqëse, rreth të cilave rrëfeni ngjarjet. Tregoni me gisht elementët e ndryshme në libër dhe komentojini. Mos lexoni fjalët e shkruara në libër, pasi qëllimi është t’i mësoni fëmijës të flasë, jo të lexojë. Nëse në libër ka vjersha të shkurtra, të cilat rimojnë, mund t’ja mësoni të voglit tuaj.

-Përdorni gjestet dhe gjuhën e trupit: gjestikulacionet zhvillohen gjithmonë përpara gjuhës së folur. Njerëzit janë të prirur për të përdorur këtë lloj komunikimi që nga muaji 8-9 i jetës, prandaj, nëse i vogli juaj nuk ka arritur akoma të shprehet, sigurohuni që të përdorë gjuhën e trupit. Për shembull, nëse i thoni fëmijës “Eja të të përqafoj”, njëkohësisht, hapni krahët fort dhe e ftoni të vijë drejt jush. MOS u shqetësoni! Të mësuarit e gjuhës së shenjave nuk shkakton asnjëherë vonesë gjuhësore.

-Këndoni këngë: fëmijët mësojnë shumë fjalë dhe shprehje nëpërmjet këngëve dhe vjershave me rimë. Një mënyrë e duhur për të fiksuar këngët, është t’i shoqëroni këngët me kërcime dhe lëvizje të trupit. Sa më shumë që i vogli juaj të familjarizohet me këngët, aq më tepër i lini hapësirë ta këndojë vetë këngën, pa u shoqëruar prej jush.

-Përsëritni dhe zgjeroni: ky është një aktivitet që duhet bërë në çdo çast, me çdo lojë. Sa herë që vajza juaj thotë një fjalë ose bën me shenjë, detyra juaj është të përsëritni dhe zgjeroni. Për shembull, nëse fëmija ju kërkon të pijë ujë “Ujë”, ju thoni menjëherë pas tij “Ujë, ti do ujë” dhe në momentin që i jepni ujin fëmijës, atëherë i thoni “Ujë, ti pi ujë”.

-Luani jashtë shtëpisë: loja në një kopsht, ballkon, park, etj., ju ofron mundësinë t’i mësoni fëmijës tuaj fjalë dhe shprehje të pafundme. Flitini vogëlushëve tuaj për lulet, kafshët, ngjyrat në kopshtin tuaj ose tregojini një zog dhe një flutur që fluturojnë; retë dhe diellin në qiell; gjethet, ujin ose rërën në tokë, etj. Aq më mirë do ishte, sikur të kishit shumë lodra me vete, për t’i përdorur në mënyra të ndryshme në ambjentin e jashtëm të shtëpisë tuaj.

Për fund, kur duhet të nisë fëmija të lexojë?

Çdo fëmijë zhvillon aftësitë e leximit në një mënyrë unike dhe, si rrjedhojë, do të arrijë normat e zhvillimit në pika të ndryshme nga bashkëmoshatarët. Megjithatë, ekziston një ecuri e ngjashme për shumicën e fëmijëve….

0 – 1 vjeç
-prek, kap dhe kthen faqet e librit
-reagon ndaj historive dhe shikon pikturat në libër.

1 – 3 vjeç
-identifikon dhe kërkon librat e parapëlqyer
-kthen faqet e librit siç duhet
-tregon me gisht figurën, emrin e së cilës dëgjon
-bën sikur lexon
-dëgjon histori dhe flet rreth personazheve të librit.

3 – 4 vjeç
-rrit vëmendjen dhe flet rreth librave më kompleksë
-merr librat nga rafti dhe shfleton në mënyrë të pavarur
-fillon të njohë disa shkronja, simbole ose fjalë të thjeshta
-lexon disa prej shkronjave që njeh

4 – 6 vjeç
-njeh dhe lexon shkronjat e alfabetit
-identifikon shkronjën e parë të një fjale
-lidh fjalën që dëgjon me atë të shkruar në libër
-identifikon shumë fjalë nëpërmjet leximit

/KidsofKosova.net/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Amla Muçaj, 5-vjeçarja nga Tropoja një këngëtare dhe valltare e jashtëzakonshme

Është vetëm 5-vjeçare, por qysh tani ka marrë vëmendjen e publikut shqiptar. Quhet Amla Muçaj dhe...

Ylli Buzhala, 6-vjeçari nga Kosova – një fotomodel i suksesshëm në Londër / VIDEO

Media për fëmijë dhe nëna "Kids of Kosova" nga sonte fillon një bashkëpunim me...

Flet Juliana Shalla: Si po e promovoj kulturën shqiptare në Angli dhe po mundohem të mbajë lart emrin shqiptarëve

Më 30 tetor do të organizohet festivali ‘Multicultural Fashion Show’ në Walthamstow të Londrës. Në...

INTERVISTË| Flet drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi: 300 gra të prekura me kancer të gjirit në 9 muajt e këtij viti

Muaji Tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit,...