E mërkurë, 28 Shtator, 2022

Flet Myvedete Gavazaj, drejtoresha e shkollës “Ymer Prizreni”: Mësimdhënësve që mungojnë ju ndalet paga për të ruajtuar disiplinën në punë

- Advertisement -

Ditët e fundit shumica e mediave në Kosovë raportuan se si drejtoresha e një shkolle në Prizren ju ndalë pagat mësimdhënësve që kanë mungesa të shumta.

Fjala është për drejtoreshën e shkollës së Mesme “Ymer Prizreni”, në Prizren, Myvedete Gavazaj. Media online “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) pjesë e së cilës është edhe “Albanian Education Today” ka realizuar një intervistë me drejtoreshën Gavazaj, e cila tregon në detaje se nga kur merr një vendim të tillë dhe si e presin mësimdhënësit ndalesën që ju bëhet  në paga.

- Advertisement -

 Drejtoresha Gavazaj ka treguar edhe sa nxënës i ka shkolla që udhëheq, çfarë profile ka, sa është e vështirë që një grua të udhëheq një shkollë të mesme, poashtu flet për paralajmërimin për grevë në arsim nga fundi i shkurtit…

 Lexoni intervistën e plotë me drejtoreshën e shkollës së mesme profesionale “Ymer Prizreni” në Prizren, Myvedete Gavazaj”:

 Jeni drejtoreshë e shkollës së mesme profesionale “Ymer Prizreni” në Prizren. Sa nxënës ka shkolla juaj? Cilat janë profilet?

- Advertisement -

– Jam  drejtoreshë e SHMLP ”Ymer Prizreni “ në Prizren. Shkolla “Ymer Prizreni”, në qendër ka 616 nxënës, ndërsa në paralelet e ndara  në Gjonaj, Romajë  dhe në Reqan ka 103  nxënës. Pra, gjithsej janë 719 nxënës. Në shkollën tonë mësimi zhvillohet në tri gjuhë, shqipe, boshnjake dhe turke.

Në shkollën e mesme profesionale janë këto drejtime dhe profile:

Ekonomi: – Kontabilitet me tatime, Banka dhe financa, Tregti me pakicë dhe shumicë, Shpedicion dhe logjistikë, Administrim biznesi, Asistent financiar dhe Marketing dhe shitje;

- Advertisement -

Juridik: – Asistent i administratës, Asistent juridik, Asistent dhe shërbime të zyrës;

Hoteleri: – Asistent i hotelerisë, Asistent restoranti, Asistent i mikpritjes hoteliere, Asistent i turizmit dhe i udhëtimeve;

Teknologji ushqimore: – Teknologji ushqimore;

Agrobiznes: – Agrobiznes.

Sa është e vështirë që një grua të drejtojë një shkollë të mesme?

Së pari ju falënderoj për pyetjen dhe për interesimin lidhur sfidat me të cilat përballet arsimi në Prizren, konkretisht në shkollën në të cilën punoj dhe e menaxhoj unë.

Detyrën për ta udhëhequr këtë shkollë e kam  marrë në qershor të vitit 2014.

Kam mbi 16 vjet në arsim dhe mbi 6 vjet në drejtimin e shkollës. Problematikat e shkollës i kam njohur drejtpërdrejt si në shkollën kur kishte rreth 2500 nxënës, ashtu edhe me numrin më të vogël me rreth 800 nxënës.

Të drejtosh një institucion, i cili ka në varësi një numër relativisht të madh nxënësesh, staf pedagogjik, nxënësish të përgatitjeve  të ndryshme arsimore që nga klasat  e 10-ta  e deri te klasat e 12-ta ,maturantët, është e pamundur të mos përballesh me çështje të cilat edhe mund të jenë të mundimshme. Por përvoja e gjatë, edhe si mësimdhënëse, edhe në krye të kësaj detyre, më ka lehtësuar për t’iu qasur dhe për të zgjidhur çdo çështje që ka të bëjë me kompetencat si drejtuese e shkollës.

Në fillim të këtij misioni drejtues, më është dashur të kuptoj thellësisht problematikat, dhe më pas, në bashkëpunim me kolegët të bëjmë përpjekje maksimale për t’i vënë ato në rrugën e zgjidhjes bazuar në zbatimin korrekt të legjislacionit. Nuk është  e lehtë të drejtosh këtë institucion, por duke bashkëpunuar me stafin profesional dhe me mësimdhënësit jem munduar të realizojmë ato çfarë na obligon plani mësimor dhe programi i punës.

Duke u bazuar në udhëzimet administrative, në rregulloret e arsimit dhe në Ligjin Parauniversitar që kanë të bëjnë me çështjen e arsimit në përgjithësi, falë komunikimit, bashkëpunimit dhe korrektësisë në raport edhe me komunitetin, po përpiqemi  të sfidojmë çdo çështje që ka të bëjë më procesin mësimor.

Përtej  gjithë sfidave e vështirësive jemi dëshmitarë edhe për pengesat që ka mundur të sjellë edhe pandemia e shkaktuar nga Covid 19, megjithatë edhe kësaj pengese i kemi përballuar, duke zbatuar qëndrimet dhe rekomandimet nga organet kompetente.

Me përpjekjet e mia, të Këshillit Drejtues, të stafit mësimdhënës, me bashkëpunimin tonë të ngushtë edhe me komunitetin, natyrisht edhe me përkrahjen e Drejtorisë së Arsimit, me vizionin për një të ardhme më të ndritur për një sukses më të mirë, kemi arritur të kemi një cilësi dhe performancë në procesin e mësimdhënies, duke sjellë disiplinë në punë, aftësimin e nxënësve për të punuar në grup dhe në mënyrë të pavarur, vëzhgim sistematik të njohurive të nxënësve, bashkëpunim të ngushtë në kolektiv dhe zhvillim profesional të tyre, komunikimi etik, rritja e cilësisë së higjienës në shkollë, bashkëpunim me prindër, e shumë të tjera.

Në media është raportuar se ju keni paralajmëruar mësimdhënësit që mungojnë se do t’i ndalni pagën? Sa është e vërtetë kjo?

– Kjo është e vërtetë. Kështu kemi vepruar njëjtë edhe vitet paraprake. Këtë e bëjmë për shkak të ruajtjes së disiplinës në punë, duke qenë transparentë, pavarësisht se mungesat mund të jenë të arsyeshme apo jo. Kjo nuk nënkupton ndëshkimin e mësimdhënësve, sepse orët e tyre edhe mund të zëvendësohen me ndonjë mësimdhënës adekuat për lëndët përkatëse. Arsyetimi i mungesave bëhet, qoftë përmes vërtetimit për pushimet mjekësore, qoftë përmes lejeve të kërkuara paraprakisht, për ditë të caktuar apo, eventualisht edhe për ndonjë orë mësimore.

Nëse po, si e kanë pritur mësimdhënësit paralajmërimin tuaj? A keni biseduar me mësuesit që kanë shumë mungesa, çfarë arsyetime kanë dhënë?

– Për mësimdhënësit nuk ishte diçka e papritur, sepse në vazhdimësi kemi publikuar dhe publikojmë shkresa në interes të procesit mësimor. Megjithatë, mësimdhënësit, si edhe më parë, ata që kanë pasur ndonjë mungesë i kanë sjellë si: – vërtetimin e mjekut, ndonjë rast vdekje, lindja e fëmijëve dhe  rastet e tjera të përcaktuara sipas Kontratës Kolektive, me Aktin e Brendshëm dhe sipas Kontratës së Punës.

SBASHK-u po paralajmëron grevë në fund të muajit shkurt, nëse nuk miratohet ligji i pagave, si e keni parë këtë?

Ne jemi zbatues të qëndrimeve dhe rekomandimeve të cilat na vijnë nga Drejtoria e Arsimit, nga Ministria e Arsimit dhe nga organet relevante që kanë të bëjnë me çështjet e arsimit. Mirëpo, duke e ditur se ka disa mangësi ligjore që kanë të bëjnë me çështjen e arsimit, ne do të përkrahim çdo nismë që është në të mirë të procesit mësimor.

Për fund, si është gjendja e arsimit në Kosovë?

– Gjithmonë ka mundësi të jetë më mirë, dhe mendojmë se, reformat nuk duhet të kenë të ndalur. Të kemi qasje më me përgjegjësi, të marrim përvoja nga shoqëritë që arsimin e kanë më të avancuar, dhe bashkë me kohën, të ecim me rezultate përkrah shteteve më të zhvilluara demokratike. /Kids of Kosova/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

- Advertisement -

Share

spot_img

Të fundit

Të tjera nga kategoria

INTERVISTË| Xhevahire Krasniqi, mësuesja e prekur dy herë me kancer: Si e luftova dhe ju riktheva familjes e nxënësve

Është prekur dy herë me kancer, por sot fatmirësisht gëzon shëndet të mirë dhe...

INTERVISTË| Dr.Lumnije Kqiku kosovarja e parë që preku majat e shkencës: Si e kujtoi hyrjen në librin enciklopedik më prestigjioz në botë

Është nga Gjilani por jeton në Austri nga ku nuk i ndahet shkencës e...

INTERVISTË| Zv.ministri Dukagjin Pupovci: Ligji i ri do të sjellë rritjen e pagave në arsim

Çështja e shamisë në shkolla, greva në arsim në prag të vitit të ri...

Kjo është mësuesja nga Kosova që duhet ta marrin shembull të gjithë

Është një mësuese e re, por me plotë vullnet për punë. Përveç punon jashtëzakonisht...