E premte, 7 Tetor, 2022

Flet mësuesja nga Rahoveci që mori vëmendjen e mediave: Sa e vështirë të mos mundesh t’i përqafosh fëmijët që nisin klasën e parë

Intervistoi: Donat Maloku

Mësuesja e shkollës fillore “Bekim Sylka”, Lejla Bytyqi, këtë javë mori vëmendjen e mediave vendore, pasi e nisi në mënyrë të veçantë vitin e ri shkollor bashkë me nxënësit e saj. Ajo ka fotografuar secilin nxënës veç e veç brenda një kornize me elemente festive, dhe fotografitë e tyre i ka shpërndarë në Facebook duke i uruar për fillimin e vitit të ri shkollor.

- Advertisement -

Mësuesja Lejla në një intervistë për “Kids of Kosova” tregon nga i erdhi kjo ide për t’i motivuar nxënësit dhe  si i priti shkrimet e mediave. Ajo tregon sa e kanë të vështirë të zhvillojnë mësimin në kohë pandemie, sa ndikon kjo mënyrë e punës në  nxënie të mësimit, dhe për çështje tjera.

Kids of Kosova: Së pari një prezantim, CV e shkurtër e juaja?

Lejla Bytyqi: Kam lindur në Opterushë të Rahovecit, mësuese në SHFMU “Bekim Sylka” në Rahovec, është viti i tretë tani që punoj në këtë shkollë.

- Advertisement -

Kam përfunduar studimet në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, drejtimi Edukim Fillor.

Kids of Kosova: Këtë vit ka nisur krejt më ndryshe viti i ri shkollor, me masa për t’u mbrojtur nga Covid-19. Sa po e keni vështirë si mësuese?

Lejla Bytyqi: Gjysmëvjetori i kaluar ka qenë sfidë në vete shkaku i pandemisë, ne të gjithëve na ka gjetur papërgatitur për të mbajtur mësim në formë virtuale, ka qenë risi për të gjithë, vështirësi kemi pasur ne mësimdhënësit, nxënësit por edhe prindërit.

Personalisht jam përkushtuar shumë që t’u dal në ndihmë nxënësve, me orë online e me të gjitha llojet e komunikimit vetëm e vetëm që nxënësit të mos mbesin prapa me mësime, ndërkaq po kaq sfidë ēshtë edhe mësimi në këtë formë që ka filluar, duke u kujdesur shumë për shëndetin tonë e të fëmijëve.

Unë tani e kam klasën e parë, me fëmijë shumë të vegjël që kanë nevojë për afërsi, ndonjëherë edhe për një përqafim, e mua si mësuese më brengos, se ndoshta jo të gjithë arrijnë ta kuptojnë situatën e ndoshta ndihen të lënë pas dore.

Kids of Kosova: Janë ditët e para, si po ndikon kjo tek nxënësit?

Lejla Bytyqi: Duke  qenë se këtë vit po u jap mësim më të vegjëlve tanë, ata sapo kanë filluar ta njohin mësuesen e re, kanë nevojë për më shumë afërsi, ndonjë përqafim sepse e dijmë sa e vështirë është të jenë larg prindërve, pastaj edhe nevoja për t’iu mbajtur dorën teksa iu mësoj ndonjë vijë, shkronjë, numër etj, hasim paksa në vështirësi  gjatë procesit mësimor e rrjedhimisht nuk shkon mbarëvajtja e orës ashtu siç unë dua dhe siç kam planifikuar.

Më lehtë e më mirë do të ishte për të gjithë sikur të mbanim mësim në pa nevojë për të mbajtur distancë, pa frikë e duke pasur mundësi fëmijët të luanin me shokët e shoqet e klasës, kësisoj edhe dëshira e tyre për të ardhur në shkollë do të ishte më e madhe se tani.

Kids of Kosova: Sa pritni të ndikoj kjo mënyrë e punës në  nxënie të mësimit?

Lejla Bytyqi: Siç e ceka edhe më lartë, masat  e marra për shkak të pandemisë na vështirësojnë punën me nxënësit, andaj edhe jam duke përdorur metoda nga më të ndryshmet vetëm e vetëm që së pari t’i bëj nxënësit e mi të vijnê me gëzim në shkollë, sepse dëshira e ardhjes në shkollë luan rol shumë me rëndësi, të lidhem më shume me ta, të fitoj  besimin dhe respektin e tyre, të mos ndikojë në asnjë mënyrë që ata të demotivohen, të ndihen keq sepse ne të gjithë e dijmë sa e ndjeshme është mosha e tyre, sa të brishtë janë, andaj po jap gjithçka nga vetja në mënyrë që ata të ndihen të sigurtë e të kenë vullnet për mësim.

Kids of Kosova: Së fundmi ju keni qenë në fokus të disa mediave vendore për mënyrën e veçantë të nisjes së mësimit. Na flsini pak për këtë, dhe si i pritët shkrimet e mediave?

Lejla Bytyqi: Nuk kam pritur që të shkruajnë mediet, mënyrën e këtillë për nisjen e vitit të ri shkollor e kam menduar në mënyrë që nxënësit e mi të kenë një kujtim të bukur nga një ditë e veçantë siç është dita e parë e shkollës në klasë të parë.

Që nga dita kur kam filluar ta ushtroj këtë profesion, që unë e konsideroj art, jam munduar që të gjej mënyra të ndryshme për t’i motivuar nxënësit, ti bëj të ndihen të veçantë e t’u dhuroj shumë dashuri!

Më vjen mirë që është pëlqyer, secili prej nesh perdorim forma nga më të ndryshmet t’i inkurajojmë nxënësit tanë.

Kids of Kosova: Për fund, mesazhi juaj për nxënësit, prindërit por edhe për Ministrinë e Arsimit, veç nëse keni?

Lejla Bytyqi: Vitin e kaluar, në tërësi kemi humbur shumë që të gjithë, ka ndikuar negativisht në procesin e mësim nxënies, andaj këtë vit na pret një sfidë e madhe, mesazhi im për të gjithë nxënësit është që të përkushtohen shumë që të arrijnë të mësojnë edhe mësimet që kanë humbur në vitin e kaluar, gjë që duhet ta kemi parasysh që ky vit do të jetë shumë më i ngarkuar!
Ndërsa, lutje prindërve që të angazhohen më shumë me fëmijët, të punojnë në shtëpi me ta në mënyrë që të kemi rezultate më të mira. Bashkëpunimi me prindër luan rol shumë me rëndësi, atëherë kur shfrytëzohet trekëndëshi: nxënës,prindër dhe mësues patjetër që do të kemi  suksese! (KidsofKosova)

 

Share

spot_img

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Edhe një tjetër mërgimtar, i gatshëm t’ua jap nga 100 euro mësuesve

Mërgimtarët po vazhdojnë të tregojnë gatishmëri për t’i ndihmuar mësuesit kosovar. Edhe Fitim Krasniqi, nga...

INTERVISTË| Xhevahire Krasniqi, mësuesja e prekur dy herë me kancer: Si e luftova dhe ju riktheva familjes e nxënësve

Është prekur dy herë me kancer, por sot fatmirësisht gëzon shëndet të mirë dhe...

INTERVISTË| Dr.Lumnije Kqiku kosovarja e parë që preku majat e shkencës: Si e kujtoi hyrjen në librin enciklopedik më prestigjioz në botë

Është nga Gjilani por jeton në Austri nga ku nuk i ndahet shkencës e...

INTERVISTË| Zv.ministri Dukagjin Pupovci: Ligji i ri do të sjellë rritjen e pagave në arsim

Çështja e shamisë në shkolla, greva në arsim në prag të vitit të ri...