E martë, 31 Janar, 2023

Elenë Stublla, mësuesja shembull – angazhohet dhe në zbulimin e talentëve të vegjël

- Advertisement -

Është një mësuese e re, por me plotë vullnet për punë. Përveç punon jashtëzakonisht me nxënësit që ata të mësojnë sa më shumë, ajo nuk mjaftohet me kaq. Pa ndalë angazhohet në zbulimin e talentëve të vegjël, çka deri tani ka vënë në pah disa të tillë.

Fjala është për Elenë Stublla, mësuesen e shkollë fillore “Dardania” në Prishtinë.

- Advertisement -

Mësuese Elena në një intervistë për “Kids of Kosova”, tregon sa është e vështirë të japë mësim në kohë pandemie, sa po ndikon situata aktuale në mësimnxënie te fëmijët, dhe sigurisht flet dhe për atë se si po i zbulon talentët e vegjë.

Kids of Kosova: Jeni mësuese në shkollën fillore “Dardania”. Na tregoni sa po e keni vështirë në këtë kohë pandemie?

Elenë Stublla: Padyshim, ndër sferat më të prekura si rrjedhojë e masave parandaluese që u morën ndaj përhapjes së Covid-19 është sistemi arsimor. Fillimisht mbyllja për një periudhë të plotë mësimore, kalimi në mësim online ishte diçka e re dhe pothuajse e panjohur si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit e prindërit.
Gjatë kësaj periudhe u sfiduam me shumë gjëra, duke filluar nga mungesa e njohurive të përdorimit të aplikacioneve të ndryshme për mësim virtual e deri tek mungesa e pajisjeve teknologjike.
Rikthimi në shkolla ishte i mirëseardhur nga të gjithë ne, ndonëse asgjë nuk ishte si më parë. Ndarja e klasëve në dy grupe dhe shkurtimi i orëve mësimore ishte përveç se e sikletshme ashtu edhe shumë sfiduese duke e ditur se sa i ngarkuar është planprogrami mësimor. Duke iu dhënë hapësirë më të madhe vetëm dy lëndëve, gjuhës shqipe dhe matematikës, me apo pa dëshirën tonë, lëndët tjera u bënë më pak të prekshme për shkak të përgjysmimit të orarit mësimor. Ne si mësimdhënës jemi të detyruar që pjesën tjetër të planprogramit ta përmbushim në forma tjera shpesh edhe duke mbajtur ekstra mësim virtual.

- Advertisement -

 

Kids of Kosova:  Sa po ndikon pandemia në mësimnxënien e fëmijëve?

Elenë Stublla: Mësimnxënia si proces kompleks që është, kërkon punë, hapësirë e sidomos përkushtim konsistent. Gjatë kësaj periudhe pandemie, nxënësve fatkeqësisht shpesh u humbet dëshira për të mësuar ose për të pasur kontakt me libra e shpesh u humbet edhe dëshira për t’u koncentruar në mësim. Në praktikën e përditshme kemi hasur edhe irritim tek nxënësit duke i ngarkuar me shumë materiale mësimore për 30’ kohë sa i kemi në dispozicion për një orë mësimore. Nxënësit tanë akoma janë nën moshën 10 vjeçare ku loja dhe argëtimi është më e dashur për ta. Për mua si mësuese është shumë e rëndësishme që mësimdhënia ime të mos shndërrohet në monotoni tek nxënësit. Andaj së bashku mundohemi që të bëjmë një kombinim të fushave të ndryshme duke e thyer stresin dhe monotoninë që përditshmëria dhe planprogrami i ngarkuar na i ofrojnë.

- Advertisement -

Kids of Kosova:  Ju jeni një mësuese e re por që vlerësoheni model i shkëlqyeshëm. Kjo për faktin se nxjerrni fëmijë talentë në fusha të ndryshme. Na flisni pak për këtë?

Elenë Stublla: Secili fëmijë e ka diellin e vet nga brenda, të duhet fare pak stimulim e angazhim për t’i parë rrezet e tyre tek shkëlqejnë nga largimi i “reve” që kanë mbuluar depërtimin e tyre… Jo të gjithë fëmijët kanë prirje për t’u bërë shkencëtarë dhe jo domosdoshmërish duhet të bëhen ashtu siç mësimdhënia tradicionale ka tendenca, duke mos lënë hapësirë që fëmijët të nxjerrin në pah atë për të cilën veçse kanë prirje. Po bëhen tashmë tri vite që unë punoj si mësuese në ShFMU “Dardania” në Prishtinë. Dardania në përgjithësi është vend i sfidave por edhe i mundësive. Siç e dini numri i nxënësve në shkollën tonë është shumë i madh, numri i nxënëseve në klasë, e tejkalon çdo rregullore e udhëzim administrativ. Si rrjedhojë na e pamundëson që brenda ditës të mund t’ua kushtojmë kohën secilit ashtu siç në të vërtetë do të duhej. Në klasën time ka shumë nxënës që kanë prirje të ndryshme. Për mua si mësuese është shumë e rëndësishme që t’i stimuloj nxënësit e mi të bëjnë atë që ata dinë dhe munden më së miri, e sidomos ta bëjnë atë që ju fle në zemër. Jam e vetëdijshme që shumica e familjeve tona nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për dërgimin e fëmijëve të tyre nëpër kurse dhe akademi përkatëse, kësisoj kam marr përsipër që kohë pas kohe të punoj në këtë drejtim duke i angazhuar në programe e aktivitete të përditshme në mënyrë që ata të fillojnë ta mendojnë vetën në atë drejtim si dhe t’i afirmoj në rrethin ku jetojnë.

Kids of Kosova:  Sa nxënës të themi talent keni nxjerrë deri tani dhe në cilat fusha?

Elenë Stublla: Deri më tani meqenëse fusha e artit është me lehtë për të punuar, në klasën time kam një super piktore së cilës ia kam organizuar një ekspozitë personale në ambientet e shkollës. Me të njëjtën jemi duke punuar që të organizojmë një ekspozitë më të madhe në ndonjërën prej galerive të artit, të komunës sonë. Në fushën e këndimit, janë dy vogëlushe, zëri i së cilave është aq i ëmbël e drithërues sa jam e bindur që do i shohim nëpër skena gjigande të këndimit, kuptohet nëse nuk do të ndalen së punuari.
Po ashtu, kemi një aktor në klasën tonë, i cili po kërkohet tashmë si fytyrë promovuese nga media të ndryshme. “Skenës” së klasës tonë nuk i mungojnë as pianistet dhe balerinat të cilat po ashtu premtojnë shumë. Kjo nuk është e tëra, nga klasa jonë do të dalin edhe emra të ndritur në arenën e futbollit. Unë si mësuese e tyre, kam shumë besim që këto yje të vockla do ta ndrisin historinë e kombit tonë.

Kids of Kosova: Për fund, mesazhi juaj për nxënësit, mësimdhënësit por dhe prindërit?

Elenë Stublla: “Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë” – po e përmbylli me këtë thënie të artë nga rilindasi ynë Naim Frashëri, me mesazhin që t’i ndjekim ëndrrat tona pavarësisht që në momente të caktuara na duken të paarritshme. Le ta kujtojmë biografinë e Mikelanxhelos kur vetëm mësuesi i tij kishte besim tek talenti i tij, me të cilin punoi edhe pa vullnetin e prindërve të tij, por që ai u bë figura më ndikuese e artit perëndimor asokohe. Pra, ta nxjerrim më të mirën nga fëmijët tanë nga cilido kënd që jemi, si mësues apo si prindër, le të jemi tifozët ose përkrahësit e parë që do i nxisim të arrijnë piedestalin e dëshiruar. /Kids of Kosova/

- Advertisement -

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Prezantohet nesër: Kaq pritet të jetë vlera e koeficientit të pagave

Këtë javë pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave në Kosovë,...

Në mungesë të kuadrit, nuk ka mësim në gjimnazin e matematikës

Nxënësit e gjimnazit “Matematikë dhe Informatikë” në Shkup edhe javën e dytë të gjysmë-vjetorit...

ORCA: Senati i UP-së ka shpallur plagjiatorë profesorët Bujar Dugolli e Ardian Kastrati

Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA), përmes një njoftimi për media ka...

Sindikatat reagojnë për mos publikimin e vlerës së koeficientit: Qeveria po tallet, nuk i harrojmë këto lojëra

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi ka thënë se...