E premte, 2 Dhjetor, 2022

Ekspertët e arsimit: Rezultatet e PISA-s, pasqyrim i realitetit të arsimit në Kosovë

Cilësia e arsimit në Kosovë, edhe ashtu jo e kënaqshme, pritet të dalë më e përkeqësuar në një testim ndërkombëtar vitin e ardhshëm, thonë ekspertë të fushës.


Ministria e Arsimit në Kosovë ka vendosur që vendi, për herë të tretë, t’i nënshtrohet testit ndërkombëtar për nxënësit – të njohur si PISA.

- Advertisement -

Një vlerësim i jashtëm i sistemit arsimor të Kosovës shihet si më valid dhe më real sesa ndonjë vlerësim i brendshëm për këtë sistem, tha për Radion Evropa e Lirë Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit.

Sipas tij, pjesëmarrja e Kosovës në testin PISA është shumë e rëndësishme.

“Është e rëndësishme për të ruajtur trendin statistikor dhe, mbi të gjitha, [është] rikujtues i gjendjes së vërtetë të arsimit”, tha Qehaja.

- Advertisement -

Po sipas tij, rezultati në PISA vjen nga kurrikula mësimore e “jo nga përgatitja e nxënësve për test një javë më herët”.

Qehaja tha se nuk pret lajme të mira nga testimi që do të bëhet vitin e ardhshëm.

“Nxënësit kosovarë, veçse janë të ekspozuar ndaj një sistemi jocilësor të arsimit… pra, disavantazhi do të jetë shumë më i thellë për t’u bartur edhe në rangim”, tha ai.

Pjesëmarrjen në testin PISA e sheh si të domosdoshme edhe Dibran Hoxha nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

“Kjo është në fund të fundit përballja jonë me realitetin dhe veten. Nuk besoj që mund të ketë përmirësime”, tha ai.

Sipas Hoxhës, pandemia e ka vështirësuar procesin mësimor, por edhe reforma në arsim duhet të bëhet shpejt dhe ajo të fokusohet në cilësinë e mësimdhënies.

“Gjendja ka qenë e përkeqësuar dhe ne, tash e disa vite, kërkojmë që vetting-u në arsimin e lartë t’i filtrojë personat që meritojnë epitetin e mësimdhënësit”, tha Hoxha.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë e kundërshtojnë vlerësimin se mësimdhënësit janë fajtorë për gjendjen në arsim. Rrahman Jashari, kryetar i kësaj sindikate, tha se kritikët e mësimdhënësve, në fakt, nuk e kanë parë nga afër angazhimin e tyre.

“Vlerësimet që na i bëjnë disa, janë të pabazuara, sepse ata nuk kanë qenë asnjë ditë në orët mësimore për të parë sesi punohet. Nuk është faji i mësimdhënësve pse gjendja në arsim është e tillë”, tha Jashari për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Jasharit, shteti duhet të investojë në digjitalizimin e mësimit.

“Në shkollat tona ende mësohet me shkumës e tabelë, e madje tekstet shkollore nuk korrespondojnë me kurrikulën dhe mësimdhënësit gjithmonë janë të sfiduar dhe në telashe për ta mbajtur si duhet mësimin”, tha Jashari.

Për shkak të pandemisë, shumica e vendeve në botë kanë kaluar në mësim online në disa periudha të dy vjetëve të fundit.

“Do të jetë interesante të shihet nëse do të rriten dallimet në mes të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, pasi këto të dytat, ku bën pjesë edhe Kosova, kanë pasur më shumë vështirësi që të organizojnë mësimin në distancë”, tha zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Kosova përballë shteteve fqinje

Kosova çalon në cilësinë e arsimit edhe në krahasim me fqinjët. Nga rezultatet e testit PISA të vitit 2018, vendet fqinje duket se kanë performuar më mirë.

E para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse në këtë test, është radhitur Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Edhe në vitin 2015, Kosova është renditur më poshtë se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia nuk ka marrë pjesë.

Share

spot_img

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Lum Rrahmani, 8 vjeçari nga Kosova kampion për herën e tretë në matematikë në Dubai

Vazhdojnë sukseset e nxënësve kosovarë në botë. Lum Rrahmani, 8 vjeçari nga Kosova është shpallur...

Me Ligjin e ri të Pagave: Drejtori i shkollës fillore do ta ketë rrogën 744 euro, i të mesmes 756 euro

Sipas ligjit të ri për pagat në sektorin publik, të propozuar nga Qeveria e...

Ligji i pagave për mësimdhënësit, vjen reagimi i parë nga SBASHK-u: Shqetësuese

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se me ligjin e ri të pagave, që...

Gjest human nga profesori nga Drenasi: Ndan tre bursa për nxënës në vlerë 20 euro për një vit nga paga e tij

Një gjest i mirë është marrë sot nga profesori i shkollës "Fehmi Lladrovci" në...