E diel, 24 Tetor, 2021

Dr. Fatime Berisha-Imeri për Kids of Kosova: Jeta në Zvicër, sfida për të ndërtuar karrierë dhe plotësimi i ëndrrës për t’u bërë pilote

Jo pak shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës kanë krijuar karrierë të suksesshme në vendet ku jetojnë.


Një prej tyre është edhe Dr. Fatime Berisha Imeri, e specializuar në disa drejtime mjekësore dhe bashkëpronare e disa laboratorëve dhe poliklinikave në Zvicër.

Dr. Fatimja në një intervistë për median ‘Kids of Kosova’ (www.kidsofkosova.net) flet për jetën e saj në Zvicër, tregon sa e vështirë është një grua nga Kosova të arrijë sukses atje, poashtu flet për ëndrrën e saj për t’u bërë pilote, dhe ka një mesazh për luftën me pandeminë.

Më poshtë intervista e plotë me doktoreshën Fatime Berisha Imeri:

 Një prezantim i juaji, CV e shkurtër që të ju njohin lexuesit tonë?

Kam studiuar dhe përfunduar mjekësinë në Prishtinë, kurse në universitetin e Cyrihut kam studiuar mikrobiologjinë, administrimin e biznesit, kam doktoruar në mikrobiologji molekulare dhe jam specializuar në kimi klinike, hematologji  imunologji dhe mikrobiologji me diagnostikë molekulare. Jam bashkëpronare dhe drejtoreshë në dy laboratore dhe filialet e tyre në Cyrih dhe Bazel. Gjithashtu jam edhe bashkëpronare e disa poiklinikave dhe ordinancave mjekësore në Cyrih dhe Bazel, në të cilat kam funksione të ndryshme (drejtoreshë, anëtare apo kryetare e bordit të drejtorëve etj).

Sa është e vështirë për një grua të arrijë suksese në karrierë? Pra me ç`sfida ballafaqohet?

Për të arritur sukses në karrierë nevojiten guximi dhe puna, nevojitet të jesh këmbëngulës dhe të besosh në veten tënde. Në rrugën drejt suksesit ka sfida të shumta dhe situata të ndryshme jetësore, të cilat mund të kërkojnë kohë dhe energji. Megjithatë, duhet t`i tejkalosh dhe t`i mbetesh besnik synimit tënd, të mos e humbësh asnjëherë vullnetin dhe qëllimin që e ke përcaktuar më herët.

Po veçanërisht në perëndim, sa është  e vështirë kjo për një grua nga Kosova?

Në përgjithësi, në një vend të huaj ballafaqohesh së pari me gjuhën e atij vendi, të cilën duhet ta mësosh dhe zotërosh shumë mirë, pastaj me mentalitetin e ri dhe me paragjykimet që  kanë disa njerëz, konkretisht për Kosovën. Një femre i nevojitet edhe më shumë punë dhe energji  që të bindë njerëzit të mendojnë ndryshe dhe ta trajtojnë  ndryshe nga ato paragjykime që kanë. Sidomos, nëse nga Kosova ke shkuar në perëndim në moshë te rritur.

Këto janë sfidat kryesore me të cilat përballet një grua, por ka edhe shumë tjera.

Ju në fëmijëri keni pasur dëshirë të bëheni pilote. Eshte realizuar kjo ëndërr apo?

Këtë dëshirë e kam pasur qysh në fëmijëri të hershme, nuk e mbaj mend mirë moshën, me siguri prej 4 apo 5 vjeçare. Në moshën e adoleschencës u binda definitivisht që në Kosovë profesioni i pilotes nuk mund të mësohet apo realizohet. Pastaj, me kalimin e kohës, jam marrë me gjëra dhe synime profesionale konkrete. Shumë vite më vonë, kur përfundova studimet, doktoraturën dhe specializimet, i erdhi radha edhe kësaj ëndrre të fëmijërisë. Atëherë nuk isha më në Kosovë, por në Zvicër; gjithashtu nuk kisha më aspirata ta bëja profesion. Tash, fluturimin me aeroplan e kam hobi, të cilin këto dy vitet e fundit e kam lënë pak anash për shkak të situatës me COVID-19.

Jeni një mjeke e suksesshme në Zvicër. Sa ndjeheni e vlerësuar atje?

Unë ndihem shumë e vlerësuar në profesionin tim dhe për karrierën time në përgjithësi. Kohëve të fundit, përveç punës profesionale në laborator, gjithnjë e më shumë merrem edhe me udhëheqje dhe administrim të bizneseve resp. të laboratoreve dhe ordinancave mjekësore.

Pandemia COVID-19, cili është mesazhi juaj?

Pandemia e COVID-19 do të luftohet nëse iu përmbahemi rregullave për të parandaluar apo pamundësuar përhapjen e virusit.  Vaksina është mjeti më efikas në këtë betejë, por nuk duhet harruar as masat tjera mbrojtëse. Sa më shpejt të bëhet imunizimi i masave të gjera, aq më shpejt do t`i kthehemi jetës të cilën e kemi pasur para pandemisë. /Kids of Kosova/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Amla Muçaj, 5-vjeçarja nga Tropoja një këngëtare dhe valltare e jashtëzakonshme

Është vetëm 5-vjeçare, por qysh tani ka marrë vëmendjen e publikut shqiptar. Quhet Amla Muçaj dhe...

Ylli Buzhala, 6-vjeçari nga Kosova – një fotomodel i suksesshëm në Londër / VIDEO

Media për fëmijë dhe nëna "Kids of Kosova" nga sonte fillon një bashkëpunim me...

Sa qënka rritur! Loredana na shkriu zemrat me këtë foto të Hanës

Loredana është njëra ndër personazhet më të komentuara dhe të dashura të publikut shqiptar. Ndërkaq...

Vjosa Berisha flet për betejën me kancerin: Jam ende në terapi dhe pastaj do të shohim efektin

Regjisorja Vjosa Berisha muaj më parë foli për luftën e saj me sëmundjen e...