E diel, 7 Gusht, 2022

Akuza: Qeveria Kurti e ka kap UP-në

- Advertisement -

Senati i Universitetit të Prishtinës ka zgjedhur të premten pesë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të UP, që morën votat në raundin e tretë, janë: Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi.

- Advertisement -

Zgjedhja e disa prej tyre ka bërë që të ngjallen reagime të mëdha nga njohësit e arsimit dhe nga organizatat që merren me çështje të arsimit.

Njohësi i sektorit të arsimit, që ishte edhe zëvendësministër në Qeverinë Kurti I, Jusuf Thaçi, ka kritikuar organizatën studentore të VV-së, SKV (Studim, Kritikë, Veprim), duke thënë se ia ka mësyrë që të kapë Këshillin Drejtues të UP-së, shkruan Reporteri.net.

“Meqë organizata studentore e LVV-së brenda Universitetit të Prishtinës (SKV, pra LVV) ia paska msy me kapë Këshillin Drejtues (KD) të UP-së, së paku do të duhej që këtë kapje ta bënte duke votuar njerëz dinjitozë për KD të UP-së, e jo me shpërfaqë aq brutalisht epshin për pushtet duke zgjedhur në organin më të lartë drejtues të UP-së njerëz që akuzohen për plagjiaturë e njerëz që nuk kanë kurrfarë vlere profesionale, shkencore e akademik”, ka shkruar ai.

- Advertisement -

“Mjerim!”, e ka quajtur Thaçi procesin e djeshëm zgjedhor.

Thaçi është shprehur i dorëzuar nga mundësia që arsimi në Kosovë të përmirësohet ndonjëherë. Thotë se i ka çuar duart dhe ka risjell një fjalë të vjetër si metaforë për situatën.

“P.S.: Personalisht moti i kam qu duart dhe nuk shpresoj që arsimi në Kosovë do të përmirësohet ndonjëherë, ama atyre që ende kanë shpresë desha t’ua kujtoj një thanje t’pleqve që thotë: “Hirra bylmet e shqiptari shtet nuk ban kurrë!”. Koha po ju jep të drejtë pleqve!”, ka shkruar ai.

- Advertisement -

Edhe udhëheqësi i organizatës ORCA, Rron GJinovci, ka reaguar ku anëtarin e ri të KD-së në UP, Selim Bezeraj e ka quajtur plagjiator.

“Me ma së shumti vota të mbledhuna në Senat të UP-së, plagjiatori Selim Bezeraj me 23 vota zgjedhet anëtar i Këshillit Drejtues. I dyti mbas tij me 20 vota, anëtari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, i njohuri nga skeqi i stupcave Rifat Krasniqi. Urime organizatës së VV-së në universitet SKV-së e cila në koalicion me organizatën e Arian Janovës patën 7 senatorë studentë! Urime Ministres Nagavci këtë përparim në Arsimin e Lartë! Urime Kryeministrit fillimin e kapjes së institucioneve arsimore!”, ka shkruar Gjinovci, shkruan Reporteri.net.

Pas këtyre akuzave ka ardhur një reagim nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka shkruar në Facebook se zgjedhja e pesë anëtarëve të rinj të Senatit të UP-së manifeston nivelin e organizimit të brendshëm dhe frymën dominuese në këtë institucion.

Ajo thotë se si Ministre, Qeveri dhe si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duan të bëjmë të ditur që betejën për çlirimin e secilit institucion arsimor në vend nuk do ta ndalim.

“Universiteti i Prishtinës ka qenë Universitet edhe i rezistencës akademike, por edhe asaj studentore. Ishte vatra e shkëndijave të para për secilin reagim shoqëror. Pas luftës shpejt u shndërrua në vendin ku jo vetëm degradohej arsimi e shkenca, por edhe mësohej kapja institucionale. Universiteti shpejt u bë ekzemplar tipik i konceptit të kapjes. Edhe kësaj radhe zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës ‘’Hasan Prishtina’’ nuk arritën të prishin qarkun e vicioz të riprodhimit të vetvetes. Zgjedhje të reja nxorën situatë të vjetër. Një qeveri për herë të parë nuk ndërhyn fare dhe vendos të respektojë autonominë e Universitetit dhe kjo duket se është kostoja e rëndë e një sjelljeje normale qeveritare. Siç dihet Ministria e Arsimit dërgon 4 anëtarë për Këshillin Drejtues, prej të cilëve jemi munduar të bëjmë më të mirën, me ç’rast kemi dërguar anëtarë me integritet e kredibilitet profesional e personal, prej tyre 50% gra, të cilët angazhohen çdo ditë që gjendja në këtë Universitet të ndryshojë për të mirë”, ka shkruar ajo, shkruan Reporteri.net.

Ajo thotë se 5 anëtarë të Këshillit Drejtues vijnë nga Universiteti, të cilët u zgjodhën dje.

“Kjo përbërje manifeston nivelin e organizimit të brendshëm dhe frymën dominuese në këtë institucion. Fatkeqësisht zgjedhjet në Universitet edhe kësaj here dëshmuan mungesën e kapacitetit përbrenda këtij institucioni për ndryshime pozitive. Si Ministre, Qeveri dhe si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duam të bëjmë të ditur që betejën për çlirimin e secilit institucion arsimor në vend nuk do ta ndalim. Universitetin do ta bëjmë vend të dijes dhe shkencës, ku vlojnë diskutimet e dalin idetë, dhe jo vend ku mësohet krimi e korrupsioni e zhvillohet klientelizmi. Universiteti duhet të jetë vend jo vetëm ku mësojmë dhe studiojmë për të mirën e interesin publik, por edhe i jetësojmë ato”, thotë ministrja Nagavci.

Pesë anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues, bashkë me katër anëtarë që emërohen nga ministrja e Arsimit, do ta zgjedhin rektorin e ri të UP-së.

- Advertisement -

Share

spot_img

Të fundit

Të tjera nga kategoria

“Mësimdhënësit nuk po duan që drejtorët e shkollave t’i vlerësojnë”

SBAShK-u dhe MAShTI-i janë pajtuar që të mos ketë testim të mësimdhënësve, por vetëm...

Pak interesim për t’u regjistruar në profesionet deficitare – veterinari dhe ndërtimtari

Për një numër drejtimesh në Universitetin e Prishtinës të rinjtë nuk kanë treguar interesim,...

Rrahman Jasharaj: Vlerësimin e mësimdhënësve do ta bëjnë drejtorët e shkollave

SBAShK-u dhe MAShTI-i janë pajtuar që të mos ketë testim të mësimdhënësve, por vetëm...

20 për qind e fëmijëve nga Kosova që jetojnë në Zvicër i përfundojnë studimet universitare

Fëmijët e emigrantëve në Zvicër po dalin të jenë më të arsimuar sesa prindërit...